14 dhjetor 2009

Bogdani humbet vendin në formacion, Hyka rikthehet për vetëm 8 minuta

Edgar Cani pritet të rikthehet te Palermo për t‘u xhiruar te Piaçenca
Pas dëmtimit të pësuar në mollëzat e fytyrës, Erjon Bogdani duket se e ka humbur tashmë vendin e titullarit në skuadrën e Kievos. Sulmuesi shqiptar nuk po mundet të rikthehet më në formacionin e parë, madje në ndeshjen e djeshme Kievo-Fiorentina (2-1) trajneri Di Karlo ka vendosur të mos e aktivizojë për as edhe një minutë të vetme. Për Bogdanin tashmë ka nisur interesimi i Padovas në Serinë B, e cila shpreson ta marrë në merkaton e janarit, kohë kur nga kjo kuadër pritet të largohet një tjetër sulmues shqiptar, Edgar Cani. Ky i fundit, i mbetur në hije në këtë pjesë të parë, për shkak të aktivizimit të pakët, në merkaton e dimrit do të rikthehet te Palermo, për t‘u xhiruar më pas te Piçenca, e cila është shumë e interesuar për blerjen e tij. Ndërkohë në Bundesliga rikthehet Hyka, i cili u aktivizua vetëm 8 minutat e fundit në barazimin 1-1 me Shtutgartin. Ky është takimi i pestë sezonal ku shqiptari aktivizohet, gjithnjë si zëvendëses.