24 dhjetor 2009

Benitez kërkon fitoren me çdo kusht

Pas Krishtlindjeve, trajneri i Liverpulit nuk pranon rezultat tjetër veç tri pikëve, ndaj Volvesit
Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, ka pohuar se ndeshja e radhës kundër Volvesit është vendimtare dhe nuk u lejohet rezultat tjetër përveç fitores. Të kuqtë aktualisht janë në vend të tetë në renditje dhe kanë tetë pikë më pak se vendi i katërt. Liverpuli pret Volvesin këtë javë duke u përpjekur të lërë pas humbjen tronditëse kundër Portsmuthit -2-0. Benitez e di se tri pikët duhen marrë medoemos nëse duan të mbajnë gjallë shpresat për një vend në katërshe. “Ne duhet të fitojmë. Çdo ndeshje duhet ta luajmë për ta fituar. Nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Këtë vit të gjitha skuadrat po humbin ndeshje. Ne kemi besim te loja jonë sepse në pjesën e dytë të sezonit gjithnjë kemi ecur mirë. Kemi fituar shumë ndeshje radhazi dhe nëse lojtarët janë në formë, do ta përsërisim këtë sukses. Duhet të jemi gati për këtë ndeshje. Nëse fitojmë, gjërat do të na lehtësohen, por mendoj se ndeshja kundër Aston Vilës më vonë do të jetë e fortë. Siti, Totenhemi dhe Vila po luajnë shumë mirë. Ne duhet të garojmë me to. Vjet, Vila bëri ndeshje të mira, por humbi disa prej tyre. Tani kanë shpenzuar edhe më shumë para dhe kanë bërë skuadër të mirë”, ka thënë Benitez. Fernando Torres ka folur në mbështetje të trajnerit Benitez, duke thënë se lojtarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi në këtë situatë të vështirë për Liverpulin. Benitez këmbëngul se të gjithë në klub duhet të punojnë shumë për të përmbysur fatin e keq në “Anfield”. I pyetur për fjalët e Torresit, ai tha: “Nuk e di nëse i ka thënë apo jo. Ndodh të lexosh fjalë në shtypin e përditshëm, por kur flet me vetë lojtarët, del që nuk janë të njëjtat fjalë. Kam folur me të dhe disa lojtarë të tjerë. E dimë që duhet të luajmë më mirë. Disa herë kemi momente të mira dhe herë të tjera jo aq të mira. Por duke qenë skuadër e madhe e Anglisë duhet të jemi në përmirësim të vazhdueshëm. Ne jemi duke u përgatitur për këtë ndeshje dhe duam të eliminojmë gabimet. Por, kur dalim në fushë dhe luajmë mirë, siç ndodhi kundër Arsenalit, na duhen edhe golat dhe mbyllja sa më parë e lojës. Ne nuk qemë aq të shpejtë për ta bërë këtë gjë, por do të jetë më e lehtë nëse fitojmë ndeshjen kundër Volvesit. Lojtarët po punojnë shumë në çdo seancë stërvitore dhe ju garantoj që do të japin 100% që të fitojnë ndeshjen”, ka përfunduar Benitez.