11 dhjetor 2009

Benitez: Gjithçka për Premier Ligën!

Trajneri i Liverpulit: Arritja e zonës Champions në kampionat do të ketë prioritet para Ligës së Europës
Premier Liga do të ketë prioritet përpara Ligës së Europës, në pjesën e mbetur të sezonit të Liverpulit, bëri të ditur dje trajneri i “të kuqve”, Rafael Benitez. Pesë herë kampionët e Europës e mbyllën fushatën e dështuar në Ligën e Kampioneve, me humbjen 2‑1 ndaj Fiorentinës, të mërkurën në “Anfild Road”.
Goli i pësuar nga Alberto Xhilardino, në minutën e fundit, i shkaktoi anglezëve humbjen e tretë në gjashtë ndeshjet e Grupit E, ku fituan vetëm ndaj Debrecenit. Vendi i tretë në grup e çon Liverpulin në Ligën e Europës për pjesën e mbetur të sezonit, por prioriteti i djemve të Benitezit do të jetë arritja e një prej katër vendeve të para të Premier Ligës, e cila siguron praninë në Champions, sezonin e ardhshëm.
Trajneri tha: “Ne do ta marrin seriozisht Ligën e Europës, por gjithçka do të jetë në vartësi të Premier Ligës. Mbyllja e kampionatit në një nga katër vendet e para është një prioritet absolut për ne. Ne nuk do të luajmë në Europë, deri në muajin shkurt, kësisoj do të kemi shumë kohë për t’u përqenduar në Premier Ligë. Ajo që na ndodhi në këtë edicion të Championsit do të jetë një eksperiencë që do t’i ndihmojë futbollistët dhe do t’i japë atyre forcën dhe vendosmërinë për t’u përmirësuar në pjesën tjetër të sezonit.” Aktualisht, Liverpuli gjendet në vendin e shtatë, tri pikë pas Totenhemit të vendit të katërt.
“Të kuqtë” kanë shansin të ngushtojnë diferencën me një tjetër rival të drejtpërdrejtë, Arsenalin, që do ta presin në fushën e tyre ditën e dielë. Benitez shtoi: “Shpresoj që të fillojmë një sezon të ri, që nga dita e dielë, duke u përqendruar dhe duke u përpjekur të bëjmë një punë të mirë ndaj Arsenalit. Fushata në Ligën e Kampioneve ishte shumë zhgënjyese, por tani duhet të bëjmë kthesën. Dy golat e vonë të pësuar në ndeshjen ndaj Lionit ndryshuan gjithçka dhe kjo situatë u përsërit, sërish ndaj Fiorentinës.
E dinim që nuk mund të vazhdonim më tej, por një humbje në minutën e fundit është zhgënjyese për të gjithë. Duhet ta përgatisim ndryshe ndeshjen me Arsenalin dhe mendoj se skuadra do të jetë në lartësinë e duhur, sepse është gjithmonë e vështirë të luash kur nuk ka asgjë në lojë!” Në fund, Benitez tha se paraqitja e italianit Alberto Akuilani i dha atij kënaqësinë më të madhe të mbrëmjes në “Anfild.”
“Edhe pse humbëm pati disa aspekte pozitive nga kjo ndeshje. Akuilani dhe Torres u dukën që të dy shumë mirë, ndërsa Stiven Xherrard është shumë pranë formës ideale. Xherrard po rikthehet vendimtar, Torres bëri gjëra pozitive dhe nuk pati dhimbje, ndërsa Akuilani tregoi cilësi në të gjitha pasimet e tij. Gjithashtu, Dani Paeko bëri një ndeshje të mirë me ekipin e parë. Torres dhe Akuilani do të stërviten fort gjatë javës dhe mendoj se do të jenë të gatshëm ndaj Arsenalit.”