17 dhjetor 2009

Bekham: Rikthehem për të fituar titullin

Mesfushori anglez, i cili do të rikthehet në janar tek kuqezinjtë, beson akoma te kampionati

Në mbrëmje në rrugët e Beverli Hills nuk ka shumë njerëz. Pas perëndimit të diellit nuk shihen më as shitësit simpatikë të “hartave” ku tregohen banesat e yjeve të kinemasë, të televizionit ose sportit. Një nga adresat më të kërkuara është “San Ysidro Drive” ku banon familja Bekham.

Një pjesë e oborrit në vilën e mesfushorit anglez është e zënë nga koleksioni i makinave: aty ndodhen një motor dhe dy Lexus, dy Porsche (një e bardhë dhe një e zezë), një Cadillac, një Jeep dhe një Rejnxh Rover. Dimri i Los Anxhelesit ndryshon shumë me atë të vendeve europiane, por pas perëndimit të diellit temperaturat bien me shpejtësi. Megjithatë, mendimi për Milanin i jep ngrohtësi Bekhamit, që duket se është shumë entuziast për rikthimin e tij në Itali, siç ka konfirmuar edhe vetë ai. Gjithashtu, ish-lojtari i Mançester Junajtid dhe i Realit të Madridit është shprehur i bindur se kuqezinjtë kanë akoma mundësi të fitojnë titullin në Serinë A.

- Devid si ndiheni?

- Jam shumë më mirë, tashmë kavilja është në rregull dhe nuk kam asnjë problem fizik.

- Keni dëshirë të rifilloni aventurën me Milanin?

- Jam shumë i kënaqur që do të kthehem në Itali. Po pres me padurim që të shkoj tek Milani, kam filluar të numëroj ditët dhe tashmë mungojnë vetëm dy javë.

- Keni folur me Leonardon?

- Kemi komunikuar vazhdimisht nëpërmjet mesazheve në celular. I kam bërë urimet e mia, shikoj që po ecën mirë pavarësisht humbjes së fundit me Palermon dhe shumë shpejt do të takohemi.

- E keni ndjekur Milanin në këtë fazë të parë të sezonit?

- Sigurisht, i kam parë të gjitha ndeshjet. Jam shumë i informuar në lidhje me gjërat që ndodhin në Itali.

- Atëherë duhet ta dini që Milani ndodhet në vendin e dytë, pesë pikë pas Interit. Sipas jush ka akoma mundësi për ta fituar kampionatin?

- Rruga deri në fundin e kampionatit është akoma shumë e gjatë, duhet të arrihet dhe më pas të kalohet Interi, por çdo gjë është e mundur. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, por të gjithë lojtarët e Milanit janë të fortë dhe mbi të gjitha luajnë shumë mirë. Kjo më bën të mendoj se titulli mund të fitohet.

- Por, ju gjithmonë keni preferuar Champions Ligën.

- Eshtë normale: në Champions luajnë skuadrat më të forta dhe më të rëndësishme. Mendoj për skuadra si Reali i Madridit, Barcelona, Mançester Junajtid, Çelsi. Do të më pëlqente ta fitoja Championsin sepse është një eveniment special. Por është e bukur edhe të udhëtosh në qytet e ndryshme të Italisë për të luajtur në Serinë A, sepse argëtohem shumë në këtë kampionat.

- Ekziston rreziku që Milani të përballet me Mançesterin në fazën e dytë të Championsit. Do të ishit i kënaqur apo do t’iu vinte keq nëse kjo do të ndodhte?

- Do të më pëlqente shumë nëse shorti do të më jepte mundësinë për t’u përballur me ish-skuadrën time. Që kur jam larguar në vitin 2003 nuk jam rikthyer më të luaj në “Old Traford”. Kanë kaluar shtatë vite dhe do të doja që kjo të ndodhte. Unë kundër Mançesterit, bukur, apo jo?

- Bukur, por e vështirë.

- Po, do të ishte shumë e vështirë. Nga ana tjetër në Champions nuk ka ndeshje të lehta. Por do të ishte edhe shumë entuziazmuese sepse mua më pëlqejnë sfidat e mëdha, më pëlqen shumë të luaj ndeshje të tilla.

- Duke parë se ndiqni futbollin italian dhe Milanin duhet ta dini se me Leonardon ka ndryshuar moduli i skuadrës. Në skemën 4-2-1-3 ku do të gjejë një vend Bekhami?

- Kush e di… Ju them diçka, tani nuk ka asnjë rëndësi të di se në çfarë pozicioni do të më duhet të luaj ose çfarë ka në mend trajneri për mua. Unë dua të jem pjesë e grupit dhe çfarëdo vendi të më gjejë Leonardo, unë aty do të qëndroj, qoftë në mesin e fushës, si mesfushor i avancuar, në krahun e djathtë, në stol. Nuk është e rëndësishme se ku do të luaj, ajo që ka rëndësi është mënyra se si do të luaj. Dhe e përsëris: unë mbi të gjitha dua të jem pjesë e këtij grupi fantastik.

- Sezoni do të përfundojë në qershor me Botërorin në Afrikën e Jugut. Anglia juaj është me të vërtet një nga skuadrat favorite për titullin?

- Po, mund ta themi pa problem këtë. Anglia është një skuadër shumë ambicioze, por nuk është e vetmja, sepse ka edhe shumë kombëtare të tjera shumë të forta po aq sa e jona. Do të jetë një Botëror i bukur.

- Kundër cilës skuadër do të donit të luanit në finale?

- Natyrisht, me Italinë.