26 dhjetor 2009

Behrami, i gatshëm

Mesfushori i West Ham United, Valon Behrami, mund të jetë i gatshëm për përballjen ndaj Portsmouth në ‘Boxing Day’ të shtunën, pasi futbollisti kosovar ushtroi gjatë gjithë javës me ekipin e tij.
Menaxheri Gianfranco Zola e ka pranuar se Behrami është i gatshëm, por ai nuk ishte në gjendje të tregonte nëse përfaqësuesi zviceran do të vendosej në fushë të shtunën kundër ‘Pompey’ apo të hënën kundër Tottenham.
“Lajmi i mirë është se Behrami ka ushtruar me mua, kështu që ai mund të jetë i gatshëm. Skuadra është e njëjta si javën e kaluar, përpos Danny Gabbidon, që do të jetë jashtë, ndërsa Behrami mund të rikthehet”, ka thënë trajneri italian.
Zola ka kërkuar përqendrim dhe angazhim nga të gjithë futbollistët e tij, përfshirë këtu edhe Behramin. “Neve na nevojitet çdokush. Ekipi është i formuar nga personat që luajnë dhe nga ata që nuk luajnë, të gjithë e kanë rëndësinë e njëjtë. T’i luash dy ndeshje si këto (kundër Portsmouth e Tottenham) duhet të kesh në dispozicion këmbë të freskëta. Unë kam besim sepse ne po kalojmë në momente të mira. Kemi shpirt fituesi dhe unë nuk u frikësohem këtyre dy ndeshjeve”, tha në fund menaxheri i West Ham.
Behrami kishte pësuar lëndim të rëndë në gju 9 muaj më parë, për çka ishte detyruar t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjike, gjë që e la jashtë fushës për 6 muaj. Menjëherë pasi u kthye, ai sërish pati probleme me gjurin dhe iu desh një tjetër operim. Futbollisti kosovar shpreson të mos ketë më probleme me lëndime, ngase ai synon që të jetë pjesë e Botërorit 2010 me përfaqësuesen zvicerane.