08 dhjetor 2009

Bayerni turpëron Juven

Bayerni e ka turpëruar Juventusin para tifozëve të vet, duke e mposhtur me rezultat prej 4-1, dhe kështu ka siguruar një vend në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.

Takimi i kryesor i të martës mbrëma në kuadër të xhiros së fundit të fazës grupore të Ligës së Kampionëve është zhvilluar në Stadiumin Olimpik të Torinos.

Dy gjigantët e futbollit evropian dhe botëror, Juventus dhe Bayern Munich, janë përballur direkt për një vend në fazën e radhës të garës më prestigjioze të futbollit evropian.

Bardhezinjtë filluan ndeshjen me një pikë më shumë se bavarezët, që do të thoshte se gjermanët vetëm fitorja i dërgonte në fazën e eliminimit direkt, ndërsa italianët mund të vazhdonin tutje edhe me barazim.

Në pjesën e parë të ndeshjes, skuadra mysafire ishte dukshëm më e mirë në fushë, mirëpo pasi kaluan 45 minuta, rezultati ishte i barabartë 1-1.

David Trezeguet solli Juventusin në epërsi (19’) pas krosimit të Claudio Marchisios, ndërsa kjo ishte goditja e vetme e Bianconerëve në drejtim të portës.

Pas golit të pësuar, Bayerni filloi dominimin në fushë, ndërsa goli i barazimit erdhi nga penalltia.

Lojtari më i mirë i mysafirëve, Ivica Olic u ndal në mënyrë të parregullt brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte portieri Hans-Jorg Butt, i cili mposhtu homologun e tij, Gigi Buffon (30’).

Edhe në fraksionin e dytë të lojës Bayern Munichu ishte dukshëm skuadër më e mirë në fushë dhe këtë e dëshmuan e dhe golat e mysafirëve.

Me të filluar pjesa e dytë (52’), Ivica Olic shënoi golin e tij të merituar në këtë ndeshje për t’ia dhënë avantazhin skuadrës bavareze.

Gjermanët shënuan edhe golin e tretë me anë të Mario Gomez (83’) për ta vulosur fitoren e tyre përballë bardhezinjve të pafuqishëm.

Mirëpo, mysafirët nuk u ndalën me kaq, për të fundosur tërësisht vendasit, u përkujdes Tymoschuk, i cili shënoi golin e katërt për Bayernin në minutat shtesë.

Takimi tjetër i Grupit A, i zhvilluar vetëm për statistika, ndërmjet Maccabi Haifa dhe Bordeaux, përfundoi me fitoren e francezëve me rezultat 1-0.

Pas gjashtë xhirove, nga ky grup kualifikohen Bordeaux dhe Bayern Munichu, ndërsa Juventusi do të bëjë gara në Europa League.