17 dhjetor 2009

Barça fabrikë e talenteve

Gjysma e skuadrave spanjolle ka së paku 5 futbollistë që arrijnë nga sektori i të rinjve. Për këtë aspekt shquhet më së shumti Barcelona, e cila e fitoi Ligën e Kampionëve me 7 futbollistë të rritur aty. Lionel Messi e fitoi Topin e Artë, kurse Xavi e Iniesta zunë pozitat 3 e 4, në këtë kategori.
Kjo ‘parajsë’ e kampionëve të Evropës kushton shumë lirë. Ata investojnë çdo vit nga 10 milionë euro në sektorin e të rinjve, një shumë përafërsisht e barabartë me rrogën që e merr Zlatan Ibrahimoviç, por e barabartë edhe me 3 për qindëshin e faturës së këtij klubi.
Kurse, kundërshtari kryesor i katalonasve, Real Madrid, shpenzon 8 milionë euro për shkollën e futbollit, respektivisht 2.5 për qind e buxhetit. Osasuna investon shumën e njëjtë, duke shpenzuar për të rinjtë 25 për qind të buxhetit të vet.
Shpërblimi? Plot 9 futbollistë të vendosur në dispozicion të trajnerit të skuadrës së parë, Antonio Camacho. Plus 4 futbollistë që luajnë tek Athletic Bilbao dhe një tek Atletico Madrid, shitjet e së cilëve kanë sjellë para të mira.
E përditshmja spanjolle Marca, e ka analizuar më mirë diferencën ndërmjet Real Madrid dhe Barcelona, sa i përket ‘brumit’ të tyre. Reali ka në ekip 5 futbollistë të rritur në shtëpi, Raul, Guti, Casillas, Arbeloa e Granero (dy të fundit të rikthyer pasi ishin huazuar më parë). Janë plot 35 futbollistë që qarkullojnë në La Liga ose jashtë saj, që janë pronë e klubit madrilen.
Në këtë aspekt, Barcelona ndalet në numrin 11. Barça është një fabrikë e vërtetë e talentëve, ndërsa Real nuk është shquar gjithaq në këtë aspekt.
Por, këto dy ekipe nuk janë perfekte. Reali i kishte lënë të largohen dy talentë, Granero e Arbeloa, që i konsideronte të panevojshëm, ndërsa më pas i riktheu, pas shpërthimit të tyre në ekipet ku ishin huazuar. Reali e kishte shitur edhe Matan, që sot luan tek Valencia dhe në Kombëtare, dhe Negredon, një tjetër djalosh që luan në Kombëtare dhe në Sevilla.
Ndërsa, Barcelona i kishte liruar dy fenomenë, Pique (të cilin e ka rikthyer) dhe Fabregas.
T’u rezistosh klubeve angleze është e vështirë, por tek të rinjtë duhet pasur shumë kujdes, mbi të gjitha me rastin e Fabregas, për të cilin tash Barça është e gatshme të shpenzojë miliona euro.
Duke u rikthyer në La Liga, analiza e Marcas publikon edhe disa fakte interesante. Gjysma e klubeve spanjolle ka së paku 5 futbollistë të formuar në shtëpi: Athletic Bilbao, i cili ka në ekip vetëm futbollit të vendit Bask, ka 12 futbollistë të shkollës së vet, Barça 10, Osasuna 9, Espanyol 8, Valencia e Malaga 7, Racing Santander, Sporting Gijon e Sevilla 6, Atletico e Real Madrid 5.
Ndër eksportuesit, pas Realit vjen Atletico (18 futbollistë të rritur dhe të shpërndarë sot në klube të La Ligas), më pas Barcelona e Sevilla (11), Malaga (9), Valencia e Espanyol (8).
Getafe, që ka në ekip të vet 6 futbollistë të rritur në Real Madrid, kurse Almeria (4 të Atletico Madridit), janë dy skuadrat e vetme të La Ligas që nuk e kanë asnjë futbollist të nxjerrë nga shkolla e vet e futbollit ose të shitur apo huazuar tek ndonjë klub tjetër të divizionit të parë spanjoll.