10 dhjetor 2009

Barça e do edhe Botërorin

Gjithçka është bërë gati në Abu Dhabi për fillimin e Botërorit të Klubeve, i paraparë më 10 dhjetor (sot). Pa dyshim, favorit i kësaj gare është kampioni evropian, Barcelona, e cila pritet të jetë pasardhësi i Manchester United, fitues i fundit i këtij trofeu.
Klubi Blaugrana e synon titullin e gjashtë të sezonit, pas La Ligas, Kupës së Spanjës, Ligës së Kampionëve, Superkupës së Spanjës dhe Superkupës së Evropës. Katalunasit do të debutojnë më 16 dhjetor dhe dëshirojnë ta rrëmbejnë edhe këtë titull.
Kundërshtari i tyre i parë do të dalë nga përballja në mes të Atlante dhe fituesit të çiftit Al Ahly-Auckland City. Kundërshtarët më të fortë për skuadrën e Pep Guardiolas konsiderohen argjentinasit e Estudiantes, që udhëhiqen nga kapiteni Juan Sebastian Veron.
Kampioni i Amerikës Jugore do të debutojë në Botërorin e klubeve më 15 dhjetor, kundër fituesit të çiftit Tp Mazembe-Pohang. Finalja do të zhvillohet më 19 dhjetor në Zayed.