08 dhjetor 2009

“Bajerni mund Juven me gol në minutën e fundit”

Presidenti i nderit i klubit bavarez, Franc Bekenbauer, parashikon kualifikimin e gjermanëve

Tani që është vetëm president nderi, Franc Bekenbauer, mund ta lërë Bajernin e Mynihut të zgjidhë vetë telashet e tij, edhe pse ndeshja e sotme ngjason me një finale. “Nuk do të udhëtoj me ekipin në Torino, jo sepse tani kam një detyrë tjetër, por kam udhëtuar shumë në muajin e fundit dhe Juve-Bajern do ta shoh në televizor. E di që do të më duhet të vuaj…”

- Pse vuajte?

- Sepse Juventusi do ta nisë ndeshjen me avantazhin e një pike më shumë dhe me forcën që paraqet në fushën e vet. Eshtë një ekip kontret, i bazuar te fiziku dhe shumë i vështirë për t’u mundur. E patë çfarë i ndodhi Interit? Ne na bën punë vetëm fitorja.

- Nëse do të ishit ende futbollist, ju që e keni fituar tri herë Championsin, si do të luanit në këtë “finale”?

- Kur isha ende “fëmijë” kisha një trajner te Bajerni që quhej Branko Zebec. Na thoshte: bëni durim, durim dhe durim. Duhet ta mbani rezultatin 0-0 derisa t’iu paraqitet një mundësi dhe në atë moment duhet të tregoheni të pamëshirshëm. Bajerni duhet të sillet në këtë mënyrë gjatë ndeshjes në Torino. Në fillim duhet të mendojë për t’u mbrojtur, sepse një rast për gol do t’i vijë padyshim.

- Po të ishit trajner, ju që fituat botërorin me Gjermaninë në vitin 1990, si do ta luanit këtë ndeshje?

- Rregulla e Zebecit vlen për ata që luajnë, por edhe për ata që imponojnë ndeshjen.

- Çfarë ndodh nëse Bajerni eliminohet?

- Asgjë, do të luajmë në Kupën UEFA, ose si quhet tani Liga e Europës. Eshtë një turne i vlefshëm.

- Eshtë e vërtetë se Luis van Gal rrezikon vendin e punës?

- Jo, ai do të qëndrojë. Po e ringre skuadrën dhe këtë e treguan tri fitoret radhazi në kampionat. Nuk mund ta largojmë pikërisht tani që puna e tij ka nisur të funksionojë.

- E dinit që trajneri i Juves mund të shkarkohej nëse humbiste ndaj Interit dhe ndaj jush?

- Sinqerisht? Si quhet?

- Çiro Ferrara.

- Ah, po Ferrara. Ka qenë një mbrojtës i madh. Pastaj ishte ndihmësi i Lipit te Italia që u shpall kampione e botës. Skuadrat e mëdha kanë gjithonë nevojë për rezultate, por mos ishte pak shpejt për shkarkimin e Ferrarës? Mendoj se me fitoren ndaj Interit pozitat e tij janë solide.

- A ju pëlqen Juventusi?

- E kam parë vetëm në Europë dhe nuk më është dukur keq. Ka futbollistë klasi, që mund ta zgjidhin në çdo moment një ndeshje delikate. Eshtë favorit, por nuk besoj se do ta kenë të lehtë për të arritur në 1/8-t…

- Po Bajerni ju kënaq?

- Jo shumë, jo aq sa do të doja unë. Do të më pëlqente kur të kthehet Riberi.

- Kur kthehet?

- Kush e di? U bë kohë që nuk luan.

- Nga ana tjetër, Luka Toni është në gjendje të mirë, por nuk është grumbulluar nga Luis van Gal me të cilin është “divorcuar” përfundimisht. Ju duket e drejtë sjellja ndaj italianit?

- Ky konflikt e dëmton shumë futbollistin. Mua Luka më pëlqen si futbollist dhe si njeri dhe ka bërë një punë të mirë në Mynih. I ka dhënë shumë Bajernit.

- Por tani ka kërkuar të largohet…

- Unë do ta mbaja në skuadër, por nëse është Toni që kërkon të largohet, atëherë është i lirë ta bëjë. Te Bajerni nuk mbajmë askënd përtej vullnetit të tij.

- Në fund, kush fiton mes Juves dhe Bajernit?

- Bajerni, 1-0 me gol në minutën e fundit, në mënyrë që kundërshtarët mos kenë kohë për të reaguar.