22 dhjetor 2009

Bajern, Van Bomeli kërkon kontratë të re

Kapiteni Mark van Bomel i Bajernit të Mynihut ka pohuar se dëshiron një kontratë të re me klubin sezonin që vjen, sepse do të donte t’i jepte fund karrierës sportive në Bavari. Marrëveshja aktuale e 32-vjeçarit zgjat deri në qershor. “Kam dëgjuar se negociatat do të mbahen gjatë fazës sonë stërvitore në Dubai. Ka shumë kontrata që janë pranë skadimit dhe do të shohim se si do të shkojnë.
Unë ndihem shumë mirë në Mynih. Kam pasur mundësinë që vjet të kisha formë edhe më të mirë, por është e vështirë t’i kthesh shpinën Bajernit. E di se çfarë të pret këtu. Mund të fitoja para edhe diku tjetër, por skuadra është më e rëndësishme.” Bajerni e ka bërë zakon që lojtarëve mbi 30 vjeç të mos u japë më shumë se një vit kontratë. Kjo e detyroi Ze Roberton që të largohej e të firmoste për dy sezone për Hamburgun.