04 dhjetor 2009

Arsen Venger kërkon një golashënues

Shamakh dhe Van Nisltëroi janë në krye të listës për të zëvendësuar Van Persin
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, po mendon të shfrytëzojë merkaton e janarit për të gjetur një zëvendësues për të dëmtuarin Robi van Persi. Holandezi ka pësuar një dëtim në kyçin e këmbës në një ndeshje me kombëtaren e tij dhe tani duhet t’i nënshtorhet operacionit dhe do të qëndrojë të paktën katër muaj larg fushave.
Kjo mungesë e Van Persit e ka dobësuar sulmin e “Topçinjve” që kanë pësuar dy humbje kundër Sanderlendit dhe Çelsit në kampionat, duke dalë jashtë luftës për titull. Për këtë arsye Venger ka ndërmend të marrë masa në merkaton e janarit për të përmirësuar sulmin e skuadrës së tij, me lojtarin e Bordosë Maruane Shamakh dhe atë të Realit Rud van Nistelroi, që janë dy objektiva të mundshëm. “Dëtimi i Van Persit do të ndikojë në planet e mia në janar. Unë nuk mendoja se ne kishim nevojë për përforcime të tjera, por tani është e sigurt se do të ndërhyjmë në merkato”, ka thënë tekniku francez.
ASNJE NXITIM - Venger ka bërë të ditur se nuk do të nxitohet për të blerë një lojtar të ri: “Ne do të marrim një vendim vetëm nëse do të jetë ai i duhuri për ne”. Ndërkohë, Venger vazhdon të jetë i zemëruar me federatën holandeze, pasi e ka akuzuar në fillim për faktin se e ka minimizuar dëmtimin e Van Persit. Francezi është acaruar edhe nga fakti se lojtari është lejuar të udhëtojë drejt Serbisë për t’u mjekuar me placentë kali para se të verifikohej se operacioni ishte i nevojshëm: “Ne nuk na është thënë e vërteta nga federata holandeze”, ka thënë Venger.
DEMI - “Nëse ne nuk do të kishim vërtetuar dëmtimin në kyçin e tij, ai nuk do të ishte kuruar. Dhe nëse ata nuk do të kishin gabuar diagnozën, ai nuk do të kishte shkuar në Serbi për një trajtim të tillë, kështu që ka shumë gjëra për të cilat ne duhet të ankohemi. Kemi humbur Bentner, Diabi dhe Van Persi dhe besoj se kjo nuk është e drejtë. Natyrisht ne do të marrim masa. Nuk do të pranojmë këtë situatë. Një lojtar si Diabi është bashkuar me kombëtaren e tij edhe pse ka qenë i dëmtuar dhe ai nuk mund të kthehet, sepse ata kanë vendosur ta mbajnë atje. Kjo është një mungesë respekti ndaj klubeve”, ka përfunduar Venger.
Maçeda ka zgjatur për katër vite të tjera kontratën me Mançester Junajtid. 18-vjeçari italian ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e arritur në kampionatin e kaluar, duke shënuar golat e fitores në minutat e fundit të ndeshjeve kundër Aston Vilës dhe Sanderlendit, që i kanë siguruar “Djajve të Kuq” titullin e 18-të në Premier Ligë. Maçeda ka bërë paraqitjen e tij të pestë të sezonit të martën në mbrëmje, kur është aktivizuar në pjesën e dytë të çerekfinales së Kupës së Ligës së fituar 2-0 nga Junajtid kundër Totenhemit. Ai nuk ka shënuar akoma në këtë sezon, megjithatë Ferguson duket se do t’i besojë atij në gjysmëfinalen e kupës, kështu që Maçeda e ka të sigurt vendin në dy ndeshje, duke pasur parasysh edhe takimin e javës së ardhshme në Champions Ligë kundër Volfsburgut në Gjermani.
Mançester Junajtid është i interesuar për portierin e Shalkes Manuel Nojer, në bazë të fjalëve që ka thënë menaxheri i tij. Kontrata e 23-vjeçarit me klubin gjerman zgjat deri në vitin 2012. “Kam dëgjuar për interesimin e Mançesterit, ne jemi në dijenë të kësaj”, ka thënë menaxheri Tomas Kroth. Muajin e kaluar Shalke ka marrë një shumë të madhe parash, pasi qyteti i Gelesenkirken ka pranuar të investojë 25,5 milion euro tek klubi. Presidenti i Shalkes Klemens Tonies ka bërë të ditur se këto fonde do të mjaftojnë për t’i dhënë fund problemve financiare në fund të sezonit.
Klinsman ka mohuar mundësinë e një ritkhimi të tij në Bundesligë. Ish-trajneri i Gjeranisë është larguar nga Bajerni i Mynihut para fundit të sezonit të kaluar, pas më pak se një viti të kaluar në “Alianz Arena”. Ai ka pasur më shumë sukese me kombëtaren duke e drejtuar atë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2006. “Për mua është e qartë: unë nuk do të ndërmarr një tjetër aventurë në Bundesligë. Pas Kupës së Botës ka mundësi të punoj në një vend tjetër”, ka thënë Klinsman, i cili është përfolur për të marrë drejtimin e një skuadre në Premier Ligë, ku ka luajtur me skuadrën e Totenhemit në vitet 1990. Në lidhje me këto zëra gjermani ka bërë të ditur se: “Janë vetëm thashetheme”.