07 dhjetor 2009

Ançeloti: Asgjë për t’u shqetësuar

Trajneri i Çelsit, pas humbjes: Luajtëm shumë mirë, por Siti ishte në ditën e tij
Trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti, ka besim se lojtarët e tij nuk kanë pse të shqetësohen për kryesimin, edhe pse diferenca e tyre me ndjekësit u shkurtua në dy pikë pas humbjes 2-1 kundër Mançester Sitit. Golat e shënuar nga Emanuel Adebajori dhe Karlos Tevez i dhanë fund serisë prej pesë fitoresh të Çelsit në kampionat, ndërsa Junajtid i vendit të dytë e ka mbajtur presionin ndaj Çelsit me fitoren ndaj Uest Hemit 4-0. “Ne nuk kemi nevojë për ndonjë reagim të fortë, pasi skuadra është në formë të mirë, po luan mirë. Edhe kundër Sitit luajtëm mirë, por Siti luajti shumë mirë”, ka thënë Ançeloti. Tashmë që Liverpuli ra në vend të shtatë pas disa rezultatesh të dobëta, pretendentët kryesorë janë Çelsi dhe Mançester Junajtid, ndërsa Arsenali vjen më pas dhe pret të përfitojë nga gabimet e kryesuesve. Humbja e Çelsit, e pasuar nga eliminimi në çerekfinale të Kupës së Ligës në mes të javës që shkoi, kundër Blekbërn Roverits, ka hedhur hije dyshimi për formën e Çelsit, ndonëse Ançeloti ka ruajtur qetësinë. “Ne kemi dy pikë më shumë se vendi i dytë dhe nuk kemi pse të shqetësohemi”, ka thënë trajneri italian, skuadra e të cilit ka 36 pikë pas 15 ndeshjesh. Humbja e penalltisë nga Lampardi, e para që prej shtatorit 2006, dhe një Drogba jo në formë ishin dhuratat e çmuara për Sitin, por Ançeloti ka thënë se golat e vendasve duhet të ishin anuluar. “Mikah Riçards e preku topin me dorë në golin e parë dhe në të dytin besoj se Rikardo Karvajo nuk bëri faull. Jam i befasuar sepse për mua arbitri Hauard Ueb është fantastik dhe me përvojë, por nuk dua të flas më shumë për atë që ndodhi. Duhet të shohim përpara.” Pozitive për Çelsin ishte që Terri nuk ka pësuar diçka të rëndë dhe duhet të jetë në fushë ndeshjen që vjen.