02 dhjetor 2009

10 yjet e Afrikës, jashtë Botërorit

Pas disa ditësh do të hidhet shorti për kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010, ku 32 shtete do të përfshihen në 8 grupe me nga 4 ekipe. Por, nëse Argjentina e Lionel Messi dhe Portugalia e Cristiano Ronaldos e siguruan kualifikimin vetëm në xhiron e fundit të kualifikimeve, janë disa futbollistë të njohur afrikanë që do ta shikojnë vetëm nga televizori këtë kompeticion, pasi që shtetet e tyre nuk ia dolën ta siguronin kualifikimin.

Më poshtë janë shënuar emrat e 10 futbollistëve më të mirë afrikanë, që do të mungojnë në Botëror, sipas uebfaqes Goal.com.

Emmanuel Adebayor (Togo)
Ai është fytyra kryesore e Togos. Ai e dërgoi vendin e tij për herë të parë në botërorin Gjermania 2006. Por, ai do të mbetet në shtëpi për Botërorin 2010.

Seydou Keita (Mali)
Produkti i akademisë së Marseilles po bën një karrierë të bujshme, prej kur e la ekipin Lens tri vjet më parë. Pas sezonit të jashtëzakonshëm me Sevillan, ai u transferua te Barcelona, ku ka mbetur nën hije të Yaya Toures. Për Malin po shkonte gjithçka mirë, por pas grindjes së tij me mesfushorin e Real Madrid dhe bashkëkombësin e tij, Mahamadou Djilla Diarra, Mali dështoi të kualifikohej në Afrikën e Jugut.

Fredi Kanoute (Mali)
Sulmuesi i Sevillas dhe vendi i tij, Mali, patën paraqitje zhgënjyese në kualifikimet për Botëror. Edhe pse ishte ndër favoritët kryesorë për kualifikim, Mali u la prapa nga Gana para përfundimit të fushatës kualifikuese. Kanoute di shumë mirë të shënojë gola dhe ishte njëri prej finalizuesve më të mirë në futbollin afrikan në vitet e fundit.

Maraouane Chamakh (Marok)
Pa dyshim, njëri prej futbollistëve më të shquar që do të mungojë në Botëror është edhe Maraouane Chamakh, i cili sezonin e kaluar ia dhuroi Bordeauxit titullin e kampionit të Francës, pas 10 vjetësh.
Paraqitjet e tij të mira në fazën ofanzive bënë që për të të interesohej Arsenal, por në fund mbeti në Francë. Javën e kaluar shënoi gol kundër Juventus në Ligën e Kampionëve, për t’ia siguruar matematikisht Bordeauxit kualifikimin në të tetën e finales.

Mamadou Niang (Senegal)
Njëjtë si Aboutrika, edhe Mamadou Niang mund të mos e shijojë kurrë Botërorin, pasi që ka mbushur 30 vjet. Senegali, që befasoi në Botërorin 2002, nuk ia doli të kualifikohej në Botërorin 2010.

Mohamed Aboutrika (Egjipt)
Pa dyshim, ai është futbollisti më i mirë afrikan që nuk ka luajtur kurrë në Evropë. Aboutrika është bërë legjendë në vendin e tij, por edhe në kontinentin afrikan. Njëri prej futbollistëve më të mirë në Afrikë ndoshta nuk do ta shijojë kurrë një botëror, pasi që ai tash është 31 vjeç.

Stephane Sessegnon (Benin)
Benini është një vend i vogël. Stephane Sessegnon konsiderohet si George Weah i vendit të tij, lojtar me talent pakufi. Faji pse ai nuk mund të jetë në Botëror nuk është i tij, por i vendit të tij, i cili nuk ka fort kualitet.

Elias Pelembe (Mozambik)
Ky talent i ri ishte afër që ta dërgonte Mozambikun të kualifikohej në Botërorin 2010. Shumë nga strategët e futbollit afrikan e kanë vlerësuar lart talentin e tij.

Karim Haggui (Tunizia)
Futbollisti i Hannover është pjesë e futbollistëve të rinj dhe të papërvojë të Tunizisë, të cilët megjithatë lanë përshtypje të mirë, edhe pse nuk u kualifikuan në Botëror. Haggui është qendër-mbrojtës i Hannoer dhe shquhet me inteligjencën e tij dhe pozicionimin në fushë.

Essam El-Hadary (Egjipt)
Portieri i Egjiptit ishte njëri ndër më të mirët në kontinentin e zi në vitet e fundit. Ai pati paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjet vendimtare me Algjerinë, por kjo ishte e pamjaftueshme për ta çuar ekipin e tij në Afrikën e Jugut. El-Hadary posedon reflekse fantastike dhe kualitet të liderit në fushë, duke u dhënë besim mbrojtësve, të cilët e dinë se mbrapa kanë një portier solid.