20 nëntor 2009

Shifrat, Leonardo më i mirë se Ançeloti

Pikët në 12 javët e para të kampionatit flasin në favor të brazilianit. Vetëm Kapelo më mirë se ai
Numrat janë gjithnjë dhe më shumë në favor të Leonardos. Trajneri brazilian, pas një starti jo të mirë në këtë sezon dhe pas humbjes së thellë 4-0 kundër Interit, duket se ka gjetur rrugën e duhur dhe tani Milani i tij është kthyer të jetë protagonist. Në 12 ndeshje kuqezinjtë kanë grumbulluar 22 pikë, pak në krahasim me 29 të Interit, por vetëm një trajner tjetër në epokën e Berluskonit ka bërë më mirë se ai në vitin e parë në drejtim të milanistëve. Bëhet fjalë për Fabio Kapelon që në pesë ndeshjet e fundit të sezonit 1986/87 në vendin e Lidolmit dhe në shtatë takimet e para të kampionatit 1991/92 ka grumbulluar 25 pikë në 12 përballje (2.08 pikë për ndeshje).
Arrigo Saki, në vitin e tij të parë tek Milani (sezoni 1987/88) ka filluar njësoj si Leonardo në kuotën e 22 pikëve, me një mesatare prej 1,83 pikësh për ndeshje. Edhe Karlo Ançeloti, pasi ka zëvendësuar turkun Terim në vitin 2001, ka koleksionuar një numër më të vogël pikësh se braziliani, 17, me një mestarae 1.42. Nuk kanë bërë më mirë as Alberto Zakeroni (21 pikë, 1.75), Nils Lidolm dhe Çezare Maldini (për të dy 19 pikë dhe një mesatare prej 1.58), duke përfunduar me trajnerët e huaj dhe të pafat Uashington Tabarez dhe Fatih Terim (me të njëjtën mesatare prej 1.50) edhe pse trajneri turk i ka drejtuar kuqezinjtë vetëm për 10 ndeshje para se të shkarkohej nga detyra.
ZAMBROTA - Milani i këtij momenti ndryshon shumë me atë të fillimit të sezonit, që ka zhgënjyer si në kampionat ashtu edhe në Champions Ligë. Zambrota ka folur qartë: “Çfarë na ka bërë të ndryshojmë? Ndoshta ka qenë fakti se kemi ndryshuar modulin në ndeshjet e fundit, çka ka lejuar të jemi një skuadër më sulmuese, duke krijuar disa raste më shumë si dhe fakti që kishim dëshirë të riktheheshim në garë në kampionat dhe Champions. Kështu që, besoj se kanë ndikuar disa gjëra.
Ronaldinjo, Borrielo, Inzagi, Pato, Sedorf dhe Pirlo janë lojtarë shumë sulmues dhe është e qartë që rrezikojmë në mbrojtje, por ky është një rrezik që mund ta përballojmë”. Në lidhje me objektivat e sezonit mbrojtësi kuqezi nuk di të zgjedhë: “Ne duam të fitojmë si kampionatin ashtu edhe Champions Ligën, sepse ka disa vite që Milani nuk po fiton në Serinë A. Megjithatë, duam t’i arrijmë të dy këto objektiva”. Në fund ka ardhur një koment për kundërshtarin e ardhshëm në kampionat, Kaljarin: “Po përgatitemi këtë javë për të qenë në maksimumin e formës për këtë ndeshje, duke mos menduar për takimin që kemi në Champions të mërkurën. Nuk është një ndeshje që duhet nënvlerësuar”, ka thënë Zambrota.