20 nëntor 2009

Prandeli i thotë “jo” kombëtares italiane

Tekniku vjollcë mohon kontaktet me Federatën Italiane dhe mendon për kampionatin me Fiorentinën
“Kombëtarja? Nuk kam folur me asnjeri dhe nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë në të ardhmen, sepse për momentin aty ndodhet një trajner që ka treguar se është më i miri dhe që unë shpresoj që të vazhdojë punën e tij”. Çezare Prandeli ka hedhur poshtë që në fillim zërat që e tregonin si një nga zëvendësuesit e mundshëm të Lipit. Por duke folur për Italinë, trajneri vjollcë, nuk ka hezituar t’i bëjë komplimenta Kasanos: “Një lojtar i nivelit shumë të lartë, mund të ndryshojë ndeshjen në çdo moment.
Po kalon një moment të rëndësishëm jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë njerëzor. Ka kuptuar se duhet të japë maksimumin jo vetëm në ndeshje por edhe gjatë javës”. Pasi ka mohuar kontaktet me Federatën Italiane të Futbollit, Prandeli ka konfirmuar besimin e tij ndaj projektit të Fiorentinës: “Nëse mund të fitojmë kampionatin? Mua më pëlqen të ëndërroj dhe dua të vazhdoj ta bëj duke punuar në një mënyrë të caktuar.
Do të më pëlqente të krijoja një klimë të veçantë dhe skuadrat që vijnë të luajnë në Firence duhet ta dinë se këtu mund të hasin vështirësi të mëdha, natyrisht në aspektin sportiv”. Në lidhje me rinovimin trajneri vjollcë nuk nxitohet: “Kam akoma edhe një vit kontratë me këtë klub dhe kështu që mendoj se është shumë shpejt për të folur tani. Por unë besoj tek ky projekt”.
Në këtë fillimsezon ka shpërthyer talenti i Steven Jovetiçit, por Prandeli u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos e ngarkojnë me përgjegjësi të mëdha malaziasin: “Ndonjëherë pyes veten sesi mund të rriten lojtarët e rinj në Itali. Jovetiç është një lojtar që ka cilësi të mëdha dhe nuk duhet t’i vërë limite vetes sepse me punë ai mund të bëhet një nga lojtarët më të fortë në qarkullim, por nuk mund të ngrihet në qiell si një fenomen pas një ndeshjeje dhe në takimin e radhës të kritikohet menjëherë”.
Më pas, Prandeli ka folur edhe për Montolivon: “Eshtë një futbollist që ka marrë dhe vazhdon të marrë shumë kritika, por ai ka reaguar gjithmonë mirë. Stërvitet çdo ditë me seriozitet dhe jep gjithmonë maksimumin”. Në lidhje me ndeshjen e së shtunës kundër Parmës: “Ata janë skuadra surprizë e këtij kampionati. Kanë një ekip shumë të mirë. Ne deri tani kemi marrë rezultate pozitive, por mund të përmirësohemi akoma”, ka thënë trajneri i Fiorentinës.