20 nëntor 2009

Iakuinta “voton” kapitenin Del Piero

Sulmuesi i Juventusit: Është lojtari më i madh me të cilin kam luajtur ndonjëherë

Vinçenco Iakuinta, i cili për momentin ndodhet në “bokse” pas operacionit që ka bërë në gju para pak javësh, mezi pret orën për t’u rikthyer në fushë për të dhënë ndihmën e tij për Juventusin dhe përgatitur sa më mirë në prag të Botërorit të tij të dytë. Mes shumë sulmuesve në listë për një vend në Afrikën e Jugut, sulmuesi me origjinë kalabreze është që tani i sigurt se e ka në xhep “vizën” për të qenë pjesë e 23-es së “axurrëve” të Lipit. “Mes Pacinit dhe Amaurit nuk rrëzoj asnjë nga “shtylla”, - thotë Iakuinta në lidhje me polemikën që ka hapur sulmuesi i Isampit ndaj brazilianit të Juves që pret pasaportën italiane.

- Pacini është i lirë të thotë çfarë të dojë, unë mendoj që Amauri është një sulmues i madh i Juventusit. Mund të bëhet një sulmues i kombëtares “axurre” jo sapo të marrë pasaportën italiane. Janë vendime që i përkasin Lipit”. Kanë kaluar tri javë nga ndërhyrja kirurgjikale dhe gjuri i Iakuintës është akoma pak i fryrë. Në këtë aspekt është e vështirë të shihet në fushë për “big match”-in e 5 dhjetorit ndaj Interit. “Të shohim, - thotë sulmuesi. - Nëse nuk do t’ia dal të jem me Interin, shokët e mi do të fitojnë gjithsesi. Nuk kam probleme sa i takon modulit të ri, e provova ndaj Xhenoas dhe në kombëtare. Mund të luaj i qetë në krah të majtë.

Në skuadër pastaj kemi kampionë të mëdhenj. Del Piero pa dyshim është më i madhi me të cilin kam luajtur ndonjëherë. Në të ardhmen do të më pëlqente të luaja me Mesin, një fenomen i vërtetë”, - e mbyll Iakuinta. Jo pak për një sulmues 30-vjeçar. Një ëndërr që do të donte ta realizonte çdo lojtar në moshë edhe më të madhe. Megjithatë synimi i Vinçencos është të qëndrojë me këmbë në tokë: “Në radhë të parë duhet të shërohem mirë dhe të kem kujdes pas zbritjes në fushë. Sa të rimarr formën e duhur, do të rifilloj menjëherë të shënoj, për këtë jam i sigurt. Mjafton të punoj me përulësi dhe të ndihmoj shokët e skuadrës”.