24 nëntor 2009

Del Piero: Ka qenë një rikthim i vështirë

Kapiteni bardhezi ka bërë debutimin e tij në këtë sezon të dielën në mbrëmje kundër Udinezes

Më në fund Aleksi është kthyer. I kërkuar nga të gjithë tifozët bardhezinj dhe i duartrokitur gjatë, që kur ka filluar nxehjen buzë fushës së lojës, kapiteni i Juves ka luajtur më shumë se gjysmë ore kundër Udinezes në vend të Xhiovinkos, që nuk ka qenë në formë shumë të mirë. Ferra e ka aktivizuar mbrapa krahëve të Amaurit, në një pozicion qendror, me Diegon të spostuar në krahun e majtë. Ka ardhur kobinimi i parë me brazilianin, disa lëvizje intersante, një karton i verdhë për një ndërhyrje të ashpër, por është normale që gjendja e tij nuk është ajo e ditëve më të mira pas një ndalese kaq të gjatë. Në fund nuk ka qenë një paraqitje as zhgënjyese dhe as për t’u lëvduar.

“Dhe ka qenë akoma më e vështirë, më shumë se zakonisht, ndoshta sepse nuk isha mësuar, në katër vitet e fundit nuk kam pasur asnjë dëmtim serioz, - ka pohuar Del Piero. - Jam rikthyer në fushën e lojës dhe doja të luaja fort që në fillim. Ka shkuar mirë, nuk ankohem.” Rikthimi i kapitenit, i shoqëruar nga ai i Sisokosë, është një lajm i mirë për të ardhmen. Të gjithë janë gati të sakrifikohen për të vazhduar ndjekjen ndaj Interit, duke përfshirë edhe Diegon: “Në pjesën e parë ka pasur pak lëvizje, në të dytën gjërat kanë shkuar më mirë, - ka thënë fantazisti brazilian. - Pozicioni im? Jam gati të sakrifikoj për ta ndihmuar skuadrën: këtu ka shumë më pak hapsira se në Gjermani dhe më pas fushat janë më të këqia, rrëshqitet shumë edhe këtu në Torino. Del Piero? Eshtë një lojtar i madh, është gjithmonë një kënaqësi të luash me të”.

GROSO DHE INTERI - Ka qenë një natë e bukur edhe për Fabio Groson. Mbrojtësi bardhezi i krahut të majtë ka shënuar një gol shumë të rëndësishëm në një moment delikat të takimit, duke i dhuruar tri pikët skuadrës së tij që lufton për titull në kapionat. Një titull tek i cili Groso beson shumë dhe që e shtyn t’i lëshojë një paralajmërim Interit: “Kur kam shënuar, gjëja e parë që më ka ardhur në mendje ka qenë për të falënderuar Martin (Kaseres) për pasimin, por më pas jam rrethuar nga shokët e ekipit. Këto tri pikë janë shumë të rëndësishme për moralin tonë dhe për renditjen. Në këtë moment nuk duhet të mendojmë për Interin, kampionati është akoma shumë i gjatë. Kemi cilësi për të fituar kampionatin, Interi nuk duhet të mendojë se e ka siguruar tashmë”. Një tjetër paraqitje pozitive ka ardhur nga mesfushori danez Polsen: “Për mua është një periudhë e mirë. Doja të tregoja, pasi kam vendosur të qëndroj, se jam një lojtar cilësor. Tani dua të vazhdoj në këtë rrugë”.

FERRARA I KENAQUR - Suksesi kundër Udinezes ka kënaqur Ferrarën dhe i lejon Juventusit të ruajë diferencat me Interin: “Kemi fituar një ndeshje të vështirë, jam shumë i kënaqur edhe pse në pjesën e parë kemi pasur disa probleme, - ka thënë trajneri bardhezi. - E rëndësishmja ishte të fitonim, këto tri pikë i kemi merituar”. Kapitulli Del Piero: Ferrara i ka bërë komplimente kapitenit të tij: “Goli ka ardhur para futjes në fushë të Del Pieros dhe Sisokosë, që luajti mirë, - ka bërë shaka trajneri. - Aleksi është i rëndësishëm për ne, por vinte nga një periudhë e gjatë mosaktivizimi. Kam preferuar ta fus në lojë kur mendoja se ritmet do të ishin ulur, gjë që nuk ka ndodhur”.