01 shtator 2009

Morati: Juventusi është rivali ynë për titull

Milano – Presidenti i Interit “godet” kuqezinjtë, duke i përjashtuar nga lufta për titullin e këtij viti.
Ende i kënaqur nga fitorja në derbi, Masimo Morati i cilëson të besuarit e Çiro Ferrarës rivalët më seriozë të Interit në luftën për kampionatin e Serisë A, duke përjashtuar Milanin. “Juventus? Është shumë e bukur ideja e një kuadre tjetër të fortë në Itali, për ta bërë kampionatin edhe më interesant. Një duel midis Interit dhe Juves? Për momentin kështu duket, pastaj të shohim,”- është shprehur presidenti interist.

“Bosi” zikaltër e vlerëson vendimin e ekipit për të mos sulmuar shumë pjesën e dytë dhe thotë se fitorja ndaj Milanit ishte e rëndësishme, sepse përveç moralit, tregoi që skuadra është në gjendje të mirë për të marrë rezultate të rëndësishme.

“Zgjedhja për të ndaluar në pjesën e dytë? Besoj se me të drejtë skuadra e bëri këtë edhe për maturi. Nuk e tepëruan me gola të tjerë. Sidoqoftë, Interi kishte një kontroll loje të tillë, sa që nuk ishte e nevojshme për të shkuar më tej. Deklaratat e mia pas ndeshjes? Ka shumë njerëz të cilët thonë gjëra që nuk duhen thënë. Besoj se këtëmund ta bëjë edhe një president klubi,”- vijoi Morati.

Mendimi i fundit i kushtohet Ibrahimoviçit dhe sfidës ndaj Barcelonës: “M’u bë vëtret qejfi që Zllatan shënoi, sepse besoj që në Barcelonë është paksa ndryshe. Ka shumë kampionë me personalitet në përbërje të skuadrës, prandaj ai duhet të bashkëpunojë me të tjerët. I uroj të bëjë një paraqitje sa më të mirë, edhe nëse na mundin.”