Presidenti i Juventusit i përgjigjet akuzave të trajnerit Hoze Mourinjo, i cili deklaroi se Koboli është armik i Interit.
“Një fitore e Milanit në derbi nuk do të ishte keq”. Kjo është fraza që e shndërroi presidentin bardhezi në “armik të deklaruar” për Mourinjon. Koboli Xhilji vlerëson fitoren e Interit në derbin e të shtunës: “Interi është skuadra kampione në fuqi dhe është forcuar shumë këtë vit. Prandaj, është pretendentja kryesore për titullin e këtij sezoni. Jo më kot uroj që të dalë dikush dhe ta ndalë. Unë nuk jam armik i Interit, jam një tifoz i Juventusit.”
Përsa i përket merkatos që u mbyll dje, Xhilji siguron se Juve nuk ka menduar kurrë për ish-mbrojtësin e Interit, Maksuell. “Për të fituar sa më shumë ndeshje në kampionat dhe për të luajtur sa më tepër në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Italisë, duhen katër sulmues me vlerë – vijoi presidenti i Juvemtusit – Ferrara i ka të gjithë parasysh dhe më pas bën zgjedhjet e tij. Nëse duam të jemi ambiciozë dhe të arrijmë më të mirën në të gjitha kompeticionet, duhet të jemi perfektë në të gjitha repartet, sidomos në sulm.”