Trajneri bardhezi është i kënaqur pas suksesit të arritur kundër verdhekuqve
Çiro Ferrara po shijon vendin e parë në renditje dhe i lëshon sfidën në distancë Interit pas fitores 4-0 të zikaltërve në derbi. “Ata kanë treguar se janë një skuadër e madhe, - ka pranuar Ferrara. - Më kanë bërë shumë përshtypje. Por, mendoj se edhe ne me këtë fitore kundër Romës dhe me lojën që kemi treguar i kemi bërë përshtypje atyre. Megjithatë, ne nuk duhet t’i japim përgjigje askujt, vetëm vetes tonë.
Në “Olimpiko” kam parë një Juventus të shkëlqyer”. “Kjo skuadër do t’i kishte pëlqyer Avokatit”, ka vazhduar trajneri bardhezi, që mbas fitores së dytë është shprehur më i sigurtë për të ardhmen “edhe pse rruga është e gjatë. Kjo fitore ka vlerë sepse rrit vetëdijen për forcën tonë. Sigurisht, me gjashtë pikë të grumbulluara në dy ndeshje ndihesh më mirë.
Kemi luajtur si një skuadër me një pjesë të parë perfekte. Tani duhet të mbajmë këtë nivel gjatë gjithë kampionatit. Diego? Këto cilësi i ka treguar edhe gjatë trofeut Beluskoni dhe të dielën e kaluar. Teknikisht është shumë i fortë, pavarësisht aftësive që ka arrin të jetë shumë i dobishëm edhe në fazën mbrojtëse dhe ne kemi nevojë që të gjithë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrën e duhur”. Në lidhje me përjashtimin e Del Pieros. “E di se kur një lojtar qëndron jashtë nuk mund të jetë i lumtur, por unë do të bëj gjithmonë zgjedhje, duke u bazuar tek llogjika dhe jo tek zemra. Gjithsesi ai do të ketë mundësitë e tij për të luajtur.
Eshtë e qartë se humori i tij nuk mund të ishte në maksimum”. Në fund, për ndeshjen e “Olimpiko”-s: “Ndonjë vështirësi e kemi patur, edhe pse sipas meje pjesa e parë ka qenë perfekte, me përjashtim të golit të pësuar. Në të dytën, Roma ka aktivizuar më shumë sulmues për të na krijuar probleme. Në përgjithësi, mund të thuhet se kemi luajtur si skuadër, siç duhet të bëjmë për gjithë kampionatin, dhe e kemi merituar fitoren, edhe pse duke vuajtur, por luanim në shtëpinë e Romës”, ka përfunduar Ferrara.