Fantazisti brazilian ka qenë vendimtar për bardhezinjtë në “Olimpiko” kundër Romës me një dygolësh
Diego Ribas da Kunja nuk është një lojtar si gjithë të tjerët dhe nuk është kënaqur me shënimin e golit të parë në Serinë A, teksa ka shënuar një dygolësh. Dy realizime që kanë fundosur Romën në “Olimpiko” dhe që i kanë garantuar Juventusit vendin e parë në renditje me pikë të plota, e vetmja nga skuadrat e mëdha. “Diego duhet të luajë edhe 37 ndeshje të tjera në këtë mënyrë që ne të arrijmë të fitojmë diçka”, kishte thënë Fabio Kanavaro pas ndeshjes së parë të brazilianit kundër Kievos, kur edhe pa shënuar ka qenë lojtari më i mirë në fushë. Të dielën ka bërë edhe më shumë dhe tani mbeten 36 ndeshje, por Diego është që tani një siguri për bardhezinjtë, duke përfshirë edhe ndeshjet miqësore, ku ka luajtur në 4 takime dhe ka realizuar 4 gola.
SFIDA ME INTERIN - Nuk mbahet mend një lojtar i huaj që të jetë ambientuar kaq shpejt tek “Zonja e Vjetër”. “Meritë e atmosferës që kam gjetur tek Juventusi, e Ferrarës, e mbështetjes që më kanë dhënë tifozët”. Pikërisht nga përqafimet e këtyree të fundit, ndërsa e ka tërhequr Iakuinta mbas golit të dytë, nën sektorin e tifozerisë bardhezi që ishte në delir për avantazhin e ri dhe përfundimtar. “Kishim ardhur këtu për të fituar, - ka thënë Diego.
- Mendoja se do të ishte e vështirë, por duke luajtur me këtë cilësi e dija se mund t’ia dilnim mbanë. Tani jam shumë i lumtur dhe kjo është përgjigja jonë ndaj fitores së Interit në derbi”.
FERRARA I BEFASUAR - E veçanta e Diegos qëndron në faktin se ka dy këmbë braziliane dhe një kokë europiane. Ai di të luftojë dhe të sakrifikohet për ekipin para se të tregojë cilësitë e tij. Ashtu siç ka bërë në rastin e golit të parë, kur ka bërë presing ndaj Kasetit, duke e detyruar të gabojë, ka vrapuar nga gjysma e fushës duke i rezistuar edhe ndërhyrjes së Rises dhe më pas me të djathtën ka mposhtur Hulio Serxhion. “E dija se ishte i mirë, - ka pranuar në fundin e ndeshjes Ferrara. - Por një Diego me këtë forcë, aftësi dhe teknikë nuk e prisja as unë, po më befason. Mbi të gjitha, stërvitet me rregullsi vetëm prej disa javësh dhe është vetëm në fillim e nuk duhet t’i ngarkojmë shumë përgjegjësi”.
PERFEKSIONI - “Një Diego në këtë formë është vetë perfeksioni, - ka thënë Bufon. - Ka shënuar dy gola të shkëlqyer, në karrierën time kam parë shumë pak të tjerë të bëjnë gjëra të tilla. Tek Juventusi, me përjashtim të Del Pieros, kishte vite që nuk shihej një lojtar me këtë fantazi dhe këtë aftësi për të qenë vendimtar. Eshtë një luks dhe një një armë më shumë për ne, sepse përveç se bën rolin e fenomenit është konkret dhe e ndihmon shumë skuadrën kur është nevoja për të mbrojtur”. “Ka luajtur shumë mirë, - ka shtuar Amauri - nga ana tjetër vjen nga disa sezone shumë të mira me Verderin dhe Juventusi nuk e ka blerë rastësisht”. Zhan-Klod Blank ka qenë shumë i kënaqur për këtë investim: “Në aspektin e kohës dhe të shifrës që është shpenzuar ka qenë një operacion perfekt. Nëse do të kishim pritur disa ditë më shumë do të kishte ndryshuar gjithçka, do ta kishim paguar më shumë”, ka thënë drejtuesi bardhezi.
50 MILIONE - Ndërsa, me 25 milionë Juventusi e ka çuar në Torino, dhe me 25 të tjerë ka marrë Felipe Melon, që ka shënuar golin e tij të parë me bardhezinjtë. “Eshtë prova që Zoti ekziston, - ka thënë mesfushori brazilian -. Të shtunën gjyshja ime Manuelina ka ndërruar jetë, por para ndeshjes unë e kam ndier afër, goli im dhe kjo fitore janë për të dhe për babain tim, që nuk ndihet mirë. Për mua do të mbetet një ndeshje e paharruar, por është edhe prova që Juventusi do të fitojë kampionatin”.